Djaloshi nga Opoja, Samidin Emini, është i lindur më 17 maj 1975 në fshatin Kuk, komuna e Sharrit (atëherë Dragashit). Shtatë vitet e para të shkollës fillore i kreu në fshatin Kuk, në shkollën fillore “29 Nëntori” të Bresanës – paralelja e ndarë fizike në Kuk, kurse mësimet në klasën e tetë i vijoi në Prizren në shkollën fillore “Mustafa Bakiu”. Pastaj kreu edhe shkollën e mesme ekonomike në shkollën “Ymer Prizreni” në Prizren.
Samidini ishte fëmija i pestë i Muhamed dhe Xhevahire Eminit. Si më i vogël që ishte, i kishin vënë shkurtesën ledhatuese “Caki”, kështu që rrallë kush e thërriste në emër të plotë, të gjithë e thërrisnin me emrin ledhatues “Caki”. Me këtë emër ledhatues, Samidini ishte mësuar, që nga vegjëlia. Samidini, ka dy motra dhe dy vëllezër. Njërën motër e ka të martuar në Kuk, kurse tjetrën në Buzes, gjithashtu edhe vëllezërit e tij janë të martuar. Samidini nuk ishte i fejuar, por pritej që të fejohej shumë shpejt.
Babai i tij ishte invalid në këmbën e djathtë. Edhe në atë gjendje ai, kudo që i jepej mundësia, punonte punët që mund t’i bënte. Një kohë të gjatë ka punuar si suvatues me një grup nga fshati që punonin për ndërtimin e shtëpive. Pasi u rritën djemtë, dhe në anën tjetër gjendja fizike vinte duke mos e dëgjuar, u shpërngul në Prizren. Tani punë mjeshtërie bënte djali i tij Hyseni, të cilit shumëçka i vinte përdorësh, si murator, axhustator, ëmbëltor etj.

Samidini e luftoi armikun me këngë e pushkë

Samidini, ndonëse më i vogli, qysh herët e ndjeu peshën e robërisë së popullit shqiptar, nën sundimin serb. Vetë gjendja e rëndë në të cilën ishin katandisur shqiptarët e bëri atë që të ndjente urrejtje ndaj pushtuesit. Ishte nga natyra guximtar, trim, i urtë dhe njëkohësisht temperament ndaj padrejtësive. Kishte sy të zi, flokë të zi, i gjatë, i shëndoshë, i shkathtë dhe mjaft inteligjent. Ai kishte talent për muzikë. Këndonte bukur, me disa shokë të tij nga Opoja. Kanë kënduar edhe nëpër dasma.
Kur doli UÇK-ja në skenë në Prizren, ai në fillim të korrikut të vitit 1998 iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së në Vrri, ku u emërua në kompaninë e fshatit Lez nën komandën e Fehim Berishës. Vrrini, përgjithësisht, kurse Lezi veçanërisht ishte trevë e njohur për Samidinin. Ai dajat i kishte në Lez të Mahmut Berisha, familje e cila është e njohur pothuaj në tërë Kosovën për faktin se janë trashëgimtarë të Tyrbes së njohur të Lezit. Siç thekson Fehim Berisha, komandant i tij, Samidini ka qenë ndër të parët në çdo punë, prandaj për shkak të përkushtimit të veçantë të tij, i është besuar që ta udhëheqë një skuadër. Ishte tip argëtues, i argëtonte ushtarët tjerë duke kënduar, duke i rënë harmonikës, duke u treguar barsoleta etj.
Në ofensivën e 1 shtatorit 1998 në Vrri, Samidini ishte në detyrën e tij në Lez. Gjatë luftimeve të ashpra që janë zhvilluar, ku armiku gjuante nga disa pozicione, UÇK-ja bënte luftë të pabarabartë. Në këto luftime disa ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë, së bashku me komandantët Xhevat Berishën e Salajdin Berishën.

Ç ‘thonë bashkëluftëtarët e tij…

Bashkëluftëtarët e tij nga të gjallët janë: Fehim Berisha, Isuf Berisha, Gjemajli Berisha etj., kurse nga dëshmorët: Bekim Berisha, Alajdin Berisha, Shadin Berisha, Ibrahim Osmani, Naip Berisha, AlajdinXhezairi etj. Sipas shokut të tij Xhemajliut, Samidini diku pas orës 14, 00 është plagosur në këmbë, kur është vrarë afër tij dëshmori Nehat Berisha. Që nga kjo kohë për fatin e Samidinit nuk dihej gjë. Kishte mendime nga më të ndryshmet. Disa bashkëluftëtarë të Samidinit si Ruzhdi Berisha pastaj edhe komandanti i tij Fehim Berisha, Isuf Berisha etj., duke i ditur rrethanat ekzistuese në vijën e frontit, potenconin që në fillim se Samidini, ashtu si edhe Salajdin Berisha e disa dëshmorë tjerë, nuk ka mundur të shpëtojë i gjallë.
Disa kufoma të të vrarëve, i kishte marrë ushtria dhe policia serbe dhe i kishin dërguar në morgun e Prizrenit. Në mesin e vrarëve ishte edhe një kufomë e paidentifikuar. Të gjithë këta fillimisht janë varrosur në varrezat e qytetit, kurse pastaj më 15 shtator 1999 është bërë rivarrimi i tyre me nderime të mëdha në varrezat e dëshmorëve në Landovicë.
Ushtari i paidentifikuar ishte varrosur me sinjalet N. N. Disa ushtarë të gjallë thoshin se ajo kufomë ishte e Samidinit. Ndërkohë që atë kufomë, vijnë disa njerëz nga Gjakova dhe e marrin duke thënë se ishte e një ushtari nga Gjakova. Në këtë rast dyshimi lindte në faktin se si u bë që kufoma e një ushtari nga Gjakova të vinte në Prizren, kur asnjë ushtar në rajonin e Vrrinit nuk ishte nga Gjakova. Si duket ajo kufomë ishte e sjellë nga Gjakova në morgun e Prizrenit dhe e përzier me kufomat e dëshmorëve të tjerë të Vrrinit, prej nga është varrosur fillimisht në varrezat e qytetit në Prizren.

Spekulimet e panevojshme

Në anën tjetër, ka pasur fjalë se Samidini, pas ofensivës së Vrrinit, ishte tërhequr nga ajo zonë dhe ka shkuar në zonën e Llapit, te komandant Remi. Si argument për këtë e përdorin një pamje filmike televizive ku shihet në sfond një ushtar i UÇK-së nga zona e Llapit me sheshir në kokë, për të cilin thuhej se i përngjante shumë Cakit dhe se nuk mund të ishte askush tjetër pos Caki. Këtë hipotezë të pa verifikuar e hedhin poshtë dy faktorë.
Së pari, në atë kohë ishte e vështirë për t’u tërhequr vetëm nga një zonë në zonën tjetër, aq më tepër nga një skaj i Kosovës në skajin tjetër, në njërën anë, për shkak të largësisë gjeografike, dhe në anën tjetër, për shkak të faktit se në atë kohë UÇK-ja kishte pësuar goditje në nivel të Kosovës dhe kishte kaluar pak kohë derisa u bë ri konsolidimi i radhëve. Këtë spekulim e hedhin poshtë dhe ushtarët e gjallë të UÇK-së nga treva e Llapit, duke e përfshirë këtu edhe pohimin e komandantëve të Zonës së Llapit, të cilët thonë se një ushtar me këtë emër e mbiemër dhe nga ky vend, siç thoni ju, nuk kemi pasur. Dihet se çdo ushtar kishte pseudonime, por nuk ka pasur asnjë ushtar që komanda të paktën nuk ia dinte emrin. Fundja, si do ta besonte se ai vërtet është filani dhe nuk ka ardhur për ndonjë motiv tjetër?

Peripecitë e familjes

Familja e Samidinit vazhdimisht e kanë pritur në ankth çdo lajm për vëllain dhe birin e tyre. Fjalët nuk u vinin të njëjta por të ndryshme nga burime të ndryshme. Në atë gjendje shpirtërore ankthi, siç ishte familja e tij, nuk mundte të hulumtonte burimet se nga linçoheshin këto informacione dhe cili ishte qëllimi i tyre.
Kështu që familja që nga ajo kohë ka mbetur pezull, duke mos ditur çfarë të bëjë, kë ta dëgjojë dhe në bazë të çkahit ta dëgjojë. Në ndërkohë pas luftës u vdes edhe babai, kështu që vëllezërit e tij tashmë kishin obligime të dyfishta. Vetë fakti se, të paktën nuk dihej asnjë nishan i tij, e bënte familjen të hezitonte për ta pranuar faktin se mund të ishte vrarë, edhe pse nuk e përjashtonin këtë mundësi.
Tashmë familja priste se mos mund të gjendeshin të paktën eshtrat e tij bashkë me të kidnapuarit nga Kosova që po i kthehen Kosovës nga disa dhjetëra, herë pas here. Historia jonë është e përmbushur përplot me raste kur një dëshmori nuk i dihet as nami e as nishani, qoftë për faktin se armiku ka mundur ta varrosë diku që nuk e di askush; qoftë për faktin se ka mundur ta marrë kufomën me vete në Serbi dhe atje ta ketë varrosur diku në ndonjë varrezë (qoftë edhe masive), apo edhe ta ketë zhdukur atje. Kujtojmë në këtë rast pohimet nga vetë burimet serbe që thonë se në Serbi janë zhdukur shumë kufoma shqiptarësh, nga përpjekjet e pushtetit serb, për t’i fshehur gjurmët e krimit…
Një gjë dihet saktë: asnjë nga të humburit nga Kosova deri tani nuk ka dalë se është i gjallë, edhe pse të gjithë janë marrë nga shtëpitë e tyre, si civilë, të paarmatosur, kurse Caki ishte ushtar me pushkë në dorë.

Emri i Samidinit është në mesin e të pavdekshëmve

Deri tani të gjitha rrethanat flisnin se ai tashmë është dëshmor i kombit edhe pse ende nuk i ishte gjetur asnjë shenjë. Edhe për Fisnik Ibrahimin, një luftëtar tjetër nga Opoja, fillimisht nuk dihej asgjë për fatin e tij, por më vonë u vërtetuan eshtrat e tij nëpërmjet ADN-së. Edhe eshtrat e dëshmorit Ismail Kryeziu nga Prizreni nuk janë gjetur ende, por familja e tij e ka pranuar si dëshmor.
Ndërkohë, më 31 tetor 2005, nga kufomat e sjella nga Serbia, në morgun e Rahovecit është bërë verifikimi i eshtrave të Samidinit në bazë të analizës së ADN-së. Tashmë edhe formalisht dihet se Samidini qysh më 1 shtator 1998 ishte bashkangjitur kolonës së të pavdekshëmve të Kosovës: Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Zahir Pajazitit, Fehmi Lladrovcit, Ilir Konushevcit, Remzi Ademajt, Abedin Rexhës – Sandokanit, Mujë Krasniqit, Ardian Krasniqit etj.
Tashmë Opojës edhe formalisht iu shtua edhe një dëshmor i kombit. Edhe një familje dëshmorësh më shumë. E familjet e dëshmorëve janë familje të shenjta. Dhe si të tilla, familjet e dëshmorëve janë familje që duan përkujdesje institucionale. Prandaj edhe emrat e dëshmorëve duan përkujdesje institucionale.
Kësisoj edhe në komunën e Sharrit, nga komisioni për emërtime në kuadër të komunës, me rastin e caktimit të emrave të dëshmorëve për t’u emërtuar institucionet e ndryshme kulturore, arsimore e shëndetësore, me emrat e tyre, në mesin e propozimeve është edhe emri i Samidin Eminit, për t’iu vënë shkollës së plotë fillore në fshatin e tij të lindjes, në Kuk, e cila aktualisht e mban emrin “Muhamed Çami”. Samidin Emini, me punën dhe angazhimin e tij, ka kontribuar në largimin e përjetshëm të Serbisë nga Kosova, duke u përjetësuar vetë në mesin e të pavdekshmëve të Kosovës dhe përgjithësisht të Panteonit Kombëtar.
Samidin Emini u varros më 7 nëntor 2005, në varrezat e dëshmorëve në fshatin Lez, në fshatin ku kishte rënë heroikisht në luftë për liri, aty ku janë varrosur edhe disa dëshmorë të këtij fshati, në mesin e të cilëve edhe djali i dajës së tij.