Klubi “Mesazhi i jetës” dhe Shtëpia Botuese “Thesari” në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Islame, organizuan aktivitetin e promovimit të librit më të ri të studentit të këtij departamenti Kushtrim Reshiti nga Bresana, në ambientet e bibliotekës së Kolegjit Universitar Bedër.

Në aktivitet ishin të pranishëm Doktor Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame, Profesor i Asocuar Rahim Ombashi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Profesor Miftar Ajdini, ligjërues i Gjuhës Arabe në medresenë e Prizrenit, poeti Ibrahim Skenderi, përfaqësues i Shtëpisë Botuese “Thesari” dhe kryetar i Klubit letrar Luigj Gurakuqi, drejtori i Shtëpisë Botuese “Thesari”, Demir Reshiti, familjarë të autorit dhe studentë të Kolegjit Universitar Bedër.

Doktor Genti Kruja në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi studentin Kushtrim Reshiti për punimin e tij, duke uruar që kjo vepër të jetë një shtysë edhe për studentët e tjerë për të kontribuar në përcjelljen e Islamit në trevat shqiptare në linjën e të parëve tanë.

Më pas Profesor Miftar Ajdini foli rreth misionit fisnik të Profetit Muhammed a.s. ku dhe përgëzoi studentin për punën dhe përpjekjen e tij në realizimin e kësaj vepre.

Poeti Ibrahim Skenderi foli për aktivitetin e Shtëpisë Botuese “Thesari” dhe Klubit letrar “Luigj Gurakuqi” në promovimin e krijimtarive letrare veçanërisht të të rinjve dhe për mbështetjen që Shtëpia Botuese “Thesari” ka dhënë dhe vazhdon të japë në botimin e veprave të ndryshme.

Profesor i Asocuar, Rahim Ombashi përgëzoi studentin duke i uruar sukses në rrugëtimin e tij të dijes dhe në realizimin e sa më shumë veprave të cilat do të kontribuojnë në edukimin e shoqërisë.

Gjatë aktivitetit studentët e Departamentit të Shkencave Islame Sefer Vrana, Aristil Toska dhe Edon Krasniqi lexuan disa poezi nga libri “Pishtari i Njerëzimit”.

Në fund fjalën e mori autori i librit, i cili falenderoi të gjithë organizatorët për mbështetjen e tyre në promovimin e librit, gjithashtu falenderoi edhe kontribuesit që mundësuan realizimin e tij duke mos harruar edhe pjesëmarrësit në këtë organizim.

© TV OPOJA

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here